Cilat janë forcat e errta që pengojnë demokratizimin e shoqërisë sone

 

Nëpër faqet e shtypit po shprehet vazhdimisht shqetësimi i ligjshëm për disa "forca të errta", të cilat duan të pengojnë proceset demokratike që kanë filluar në vendin tonë.

Eshtë me vend që duke ruajtur gjakftohtësinë, duke iu drejtuar arsyes së shëndoshë, të bëhet analiza e gjendjes dhe të përcaktohen pastaj qartë këto forca, të izolohen dhe të përpiqemi që pjesëmarrja e tyre në zhvillimin e ngjarjeve të jetë me sa më pak pasoja.

Një analizë e tillë kërkon patjetër që t'i kthehemi të kaluarës. Thirrjet e ndryshme që t'i mbyllim dëfterët e së kaluarës nuk është e drejtë, sepse të vërtetat e fshehura nuk lejojnë që të gjenden zgidhjet optimale për të ardhmen, nuk i japin siguri shoqërisë se gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriten më. Natyrisht, duke rikujtuar të kaluarën, do të na duhet të përjetojmë sërish peripecitë që kemi përjetuar, por kjo është e vetmja mënyrë për të arritur ataraksinë (qetësinë dhe ekulibrin shpirtëror). Ne, masat e gjera të popullit urojmë që pas këtyre peripecive, sikurse pas tragjedive greke, të ketë një komedi të gëzuar, që nuk siguron vërtet menjëherë lumturinë e shumëdëshiruar, por të paktën krijon premisat për të qenë më të lumtur.

Dhe populli shqiptar e meriton një jetë më të mirë, një jetë më të begatë, më të kulturuar dhe të lirë. Ai nuk ka kursyer kurrë as gjakun, as djersën, as mundin dhe, natyrisht, as ëndërrat.

"Forcat e errta" vërtet mund ta shpien popullin drejt humnerës së vëllavrasjes. Ato duhen identifikuar me gjakftohtësi, me urtësi. Duhen demaskuar dhe izoluar që të mos fusin pasjonet e tyre "gjaknxehta" në zgjidhjen e punëve të popullit dhe të kombit, të detyrohen t'i nënshtrohen vullnetit të popullit, t'ia nënshtrojnë interesat e tyre egoiste dhe meskine interesave të larta të atdheut.

Jemi duke përjetuar një krizë të rëndë ekonomike dhe politike.

Kriza ekonomike shprehet në shkrehjen e punës, boshatisjen e tregut, në faktin se nuk po kërkojmë më kredi, por ndihma humanitare. Nuk po përmendim këtu varfërinë, e cila prej disa vjetësh apo dekadash ka pllakosur vendin (thuhet se jemi midis vendeve të botës së katërt, gjë që nuk është përgënjeshtruar).

Kriza politike shprehet me faktin se pushteti shtetëror nuk funksionon më si më parë. Presidenti merr pushtete të jashtëzakonshme, krijohet një këshill presidencial, një qeveri stabiliteti, që zëvendësohet nga një qeveri teknike etj.

Mos vallë kjo krizë ishte pasojë e pluralizmit? Sepse në vështrimin e parë duket sikur të gjitha këto fenomene u shfaqën pas shpalljes së pluralizmit partiak. Besoj se të gjithë e kuptojnë se ishte pikërisht kjo krizë që shkaktoi nevojën e lindjes së pluralizmit partiak për të dalë në skenë ato forca, të cilat nuk pajtoheshin me gjendjen ekzistuese të gjerave. Prandaj duhet t'i kthehemi doemos qoftë edhe fare shkurt të kaluarës, për të parë çfarë ndodhi dikur në thellësi të saj, për të kuptuar se çfarë forcash veprojnë sot në skenën politike dhe cilat janë "forcat e errta".

Dhe po t'i kthehemi të kaluarës, nuk mund të mos flasim për veprimtarinë e Partisë së Punës (ish Partia Komuniste), e cila ka qenë protagonisti kryesor, demiurgu i gjithë asaj që u krijua në vendin tonë gjatë këtyre dyzet e pesë vjetëve.

Nuk ka asnjë dyshim se Partia Komuniste ka meritën që udhëhoqi popullin shqiptar në luftën për çlirimin e vendit dhe për nisjen e revolucionit demokratiko-borgjez në Shqipëri, dhe për këtë ajo pati përkrahjen e plotë dhe entuziaste të pjesës më të madhe të popullit. Por pastaj....

Pastaj nis edhe e keqja, pasojat e së cilës po shfaqen tani haptazi, megjithëse kanë ekzistuar prej kohësh.

Si pasojë e tendencave sektariste, që ishin vënë re tek Partia dhe ishin kultivuar dhe ruajtur me xhelozi (ose më mirë me gjak) prej saj gjatë kohës së luftës, por natyrisht dhe nga mosnjohja e ligjeve te zhvillimit të shoqërisë, në një vend si yni, ku shumica e popullsisë (90%) ishin pronarë të vegjël, bujqër në fshat dhe zanatçinjë në qytet, dhe që porsa nisi revolucionin demokratik, u vendos "Diktatura e Proletariatit" (pa patur asnjë proletar të mirfilltë) me misionin që të ndërtohej socializmi, domethënë të vendoseshin marrëdhëniet socialiste në prodhim. Dhe kjo u realizua sipas skemave më të gabuara, më të dhunëshme, në fillim titiste dhe pastaj staliniste. Marksi, si themelues i teorisë komuniste, e kishte përcaktuar teorikisht se revolucioni socialist është i mundur dhe i paevitueshëm vetëm atëherë, kur forcat prodhuese arrijnë një nivel të tillë zhvillimi, sa që ato nuk i durojnë më marrëdhëniet e pronësisë kapitaliste, dhe proletariati që përbënë shumicën e shoqërisë dhe është i zhveshur plotësisht nga pronësia mbi mjetet e prodhimit, bën shoqërizimin e tyre, menjëfjalë i kthen ato në pronë të të gjithë shoqërisë.

Natyrisht, këtu nuk është fjala për të diskutuar doktrinën marksiste dhe aq më tepër përjetshmërinë e saj. Marksi vërtet ishte politikan, por para së gjithash ishte shkencëtar dhe e parashikoi të ardhmen në atë masë që e mundësoi realiteti i kohës dhe që ai pati analizuar. Me teorinë e Marksit nuk mund të mos ndodhte ajo që ndodh me çdo teori tjetër, sado shkencore që të jetë për kohën. Teoritë vjetërohen. Kështu ndodhi me teorinë mekanike të Njutonit, kur Ajnshtajni zbuloi teorinë e relativitetit. Vetë dialektika marksiste (hegeljane) provon dhe predikon se nuk ka asgjë të përjetshme: fenomenet lindin, zhvillohen, plaken dhe vdesin (shuhen). Nuk dimë akoma se në çfarë mase postulati marksist i përmendur më lart mbi zëvëndësimin e marrëdhënieve kapitaliste me ato socialiste e ka humbur forcën e tij bindëse dhe drejtësinë e argumentit. Natyrisht, "teoria marksiste" dështoi plotësisht në kampin e lindjes me shembjen e të ashtuquajturit sistem socialist, por ruan akoma forcën në Perëndimin kapitalist, i cili është i detyruar vazhdimisht që të reformohet disi në favor të punëtorisë.

Edhe Lenini, që avancoi mundësinë e fitores së socializmit në një vend të vetëm, nuk guxoi realisht të bënte reforma që të dilnin jashtë kuadrit të reformave demokratike në Rusi, sidomos në fshat, megjithëse nuk u tregua aspak i butë, sikundër duan të thonë, në përdorimin e dhunës së diktaturës së kuqe.

Këtë e bëri Stalini, dhe e bëri me një dhunë të pashembulltë. Dhuna e tij dhe e sistemit që vendosi qe e vazhdueshme dhe masive. Kjo dhunë dhe ky sistem qenë një lëngim i thellë, çnjerëzues dhe i përhershëm i shoqërisë ruse, për shkak të të cilit ajo pagoi, po paguan dhe do të paguajë mbase edhe për një kohë shumë të gjatë një haraç të rëndë: të varfërisë, dëshpërimit dhe konfuzionit shpirtëror dhe shoqëror.

Ashtu sikundër e pagoi, po e paguan dhe me sa duket do ta paguajë për një kohë të gjatë këtë haraç edhe populli ynë.

Vendosja e "diktaturës së proletariatit" në fshat dhe në qytet, megjithë ndonjë arritje që siguron shoqërizimi i mjeteve të punës, pati si rezultat kryesor, sikundër del tani, frenimin e forcave prodhuese dhe proletarizimin e vërtetë të fshatarësisë dhe të zanatçinjëve të qytetit. Ky lloj "socializmi" bëri atë që në vendet e zhvilluara të Evropës dhe në Amerikë e pati bërë kapitalizmi fillestar.

Megjithëse thuhej dhe thuhet se kolektivizimi në bujqësi tek ne, në Shqipëri, u bë me bindje, gjithsesi nuk kishte si të mos bëhej vetëm me dhunë dhe sipas skemës staliniste. Pronari i vogël u zhvesh nga prona e tij. Nuk flasim këtu për industrinë, sepse ose nuk e kishim fare ose e kishim në format më fillestare. Kështu që ajo lindi që në fillim si industri shtetërore. Por edhe ajo u mbush me punëtorë që për nga origjina kishin qënë pronarë të vegjël tokash, fshatarë apo zanatçinjë nëpër qytete. Qytetet tona ishin krejt të pazhvilluara dhe ato nuk kishin fare pak ose aspak punëtorë por vetëm zanatçinjë. Këta pronarë të vegjël u transplatuan në "ekonominë socialiste" me të gjitha karakteristikat e një mikroborgjezi, dhe para së gjithash me dëshirën dhe zakonin për të zhvatur sa më shumë për vete. Për këtë qëllim, ky ish mikroborgjez përdori të gjitha mënyrat e mundshme. Njëra nga mënyrat më të leverdisshme dhe më komode, që për më tepër inkurajohej nga vetë Partia komuniste në pushtet, ishte futja në parti, në ushtri, në polici dhe në organet e sigurimit, zënia e funksioneve në të gjitha shkallët e partisë dhe të pushtetit. Dhe kjo ndodhte më tepër në formën e krijimit të klaneve të tëra në këto organizma, që ishin shprehje e mendësisë feodale dhe fisnore të vendit tonë. Kush nuk pati mundësinë ta bënte këtë, vidhte sa të mundëte nga prona dhe puna e përbashkët, në formën e kohës së punës, të parazitizmit, të vjedhjes së të mirave materiale etj.

E keqja tjetër është se karakteristikë e mikroborgjezit është se ai di të përshtatet dhe pajtohet me pushtetin në fuqi, pajtohet dhe përshtatet me çdo formë pushteti, mjafton që vija të shpjerë sa më shumë ujë në "parcelën" e tij. Pushtetarët komunistë mundën të bënin çfarë deshën me popullin për shkak të këtij pajtimi dhe bindjeje të plotë nga ana e një popullësie tejet "fshatare-mikroborgjeze". Dhe haraçin e këtij konformizmi, të "kësaj përshtatjeje" mikroborgjeze, po e paguan ekonomia, pushteti dhe më tepër vetë Partia e Punës, e cila u mbërthye dhe vazhdon të jetë e mbërthyer nga "këmisha e forcës" e një dogmatizmi dhe konformizmi skajor.

E vërteta është se ne sot jemi dëshmitarë të daljes nga partia të shumë "bukëshkalëve", që në të vërtetë janë bashkëpjesëmarrës aktivë në të gjitha ato që ndodhën në shoqërinë tonë. Nderi i tyre e kërkonte që të mos dilnin nga partia e tyre "e lavdishme", por të përpiqeshin ta ndreqnin dhe reformonin, ta demokratizonin dhe ta bënin një forcë pozitive në interes të zhvillimit të demokracisë së vendit tonë.

Skema staliniste sovjetike u imitua pikë për pikë edhe në politikë. Partia e shkatërroi edhe atë pak demokraci të brendshme që mund të kishte pasur në kohën e krijimit të saj. Vendimi nga lart ishte i padiskutueshëm për masën e komunistëve edhe kur u ishte parashtruar për shqyrtim. Vendimet e partisë ishin vendimet e shtetit. Ajo u kthye në mbishtet. Me hierarkinë e saj feodale bizantine, në krye është një sekretar i parë me atributet e kryeprofetit dhe të kryevasalit të pakundërshtueshëm, pastaj vijnë vasalët e tjerë me rradhë: anëtarët e byrosë politike, anëtarët e komitetit qëndror, sekretarët e rretheve, sekretarët e ndërmarrjeve etj. Partia vetë përqëndroi në duart e saj pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ajo vendoste për planet e zhvillimit ekonomik e deri tek arrestimi e dënimi i "armiqve të popullit". Vendimet për dënimin e "kundërshtarëve politikë" mirreshin nga komitetet e partisë, proces-verbalet e plenumeve të komitetit qëndror shërbenin si dëshmi për arrestimin dhe dënimin e hierarkëve të partisë. Pushteti legjislativ dhe ekzekutiv nga qëndra dhe deri në hallkat më të ulta, këshillat popullore dhe komitetet ekzekutive të fshatrave dhe drejtoritë e ndërmarrjeve, nuk mund të bënin asnjë veprim pa udhëzimet dhe lejen e komitetit apo sekretarit të partisë. Kuadri ishte monopol i Partisë. Mbledhjet e partisë bëheshin me dyer të mbyllura. Zgjedhjet ishin formale, votohej për listat e aprovuara në komitetet e partisë dhe Ministrinë e brendshme.

Dhe poshtë kullave të këtij "socializmi feudalo-bizantin" ishin burgjet më të tmerrshme të Lindjes së kuqe për "armiqtë e klasës", por ku nuk munguan të bien nganjëherë edhe komunistët omnipotentë që bëheshin tepër të rrezikshëm.

Partia në pushtet kurrë nuk e rreshti luftën kundër "burokratizmit", "shfaqjeve të huaja" etj. Ajo zhvilloi fushata të panumërta "spastrimesh" për këtë qëllim. Por ajo asnjëherë nuk u kujtua ose nuk guxoi ta vinte gishtin tek shkaku i vërtetë i burokratizmit. Burokracinë nuk e përbëjnë nëpunësit e gjorë që mbajnë evidenca në çfarëdo fushe të administratës qofshin. Kjo lloj burokracie është e pashmangshme dhe e domosdoshme për çdo shtet dhe për çdo veprimtari shtetërore. Ngjarjet e vitit të kaluar në vendet e Lindjes ish socialiste dhe tani kohët e fundit në vendin tonë tregojnë se burokracia e vërtetë, ajo që e rrudh, e venit, i merr frymën dhe jetën shtetit është Partia moniste komuniste me kompetencat dhe fuqitë e saj të jashtëzakonshme mbishtetërore dhe mbiligjore.

Funksionarët e lartë të partisë, të pajisur me një pushtet të madh politik, sipas shkallës që zënë në hierarkinë partiake, me privilegje ekonomike që përbëjnë një kontrast të turpshëm me jetën tërë mundim dhe mjaft modeste, për të mos thënë të varfër, të shumicës dërrmuese të popullit, janë "forcat e errta" në procesin e demokratizimit të vendit, sepse janë ata që kanë se çfarë të humbasin nga demokratizimi, nga vendosja e shtetit juridik. Këto forca nuk kanë më asgjë të përbashkët me idealet e predikuara për një kohë të gjatë të barazisë dhe demokracisë, janë ato që kundërshtojnë me tërbim dhe pengojnë në të gjitha mënyrat luftën kundër burokracisë partiake (urojmë që kjo luftë të jetë e pandërprerë edhe në të ardhmen në partitë e porsakrijuara të "krahut demokratik", sepse çdo parti porsa merr pushtetin ka tendenencën t'i hipë në zverk shtetit dhe popullit). Këta duhen indikuar para të gjithëve si "forca të errta" që duan të pengojnë proceset demokratizuese.

Ekzistojnë edhe të ashtuquajturat "forca të errta" që indikohen nga shtypi i Partisë së Punës. Këta janë ish të burgosurit, ish të dënuarit nga ligjet drastike të diktaturës së proletariatit, viktimat e "luftës së klasave". Po, është e vërtetë se edhe këto forca mund ta pengojnë demokratizimin ose mund ta bëjnë atë të dhimbshëm, vëllavrasës me "hakmarrjen" e tyre. Ne nuk e dimë akoma se sa të dënuar me ligjet e shkruara dhe të pashkruara të diktaturës ka patur gjatë këtyre 45 vjetëve si pasojë e luftës së pamëshirshme që u zhvillua tek ne kundër "armikut të klasës" dhe ideologjisë borgjezo-revizioniste. Sepse me vendosjen e diktaturës së proletariatit në vend që të bënte politikën e pajtimit kombëtar dhe të tregohej një parti humane dhe demokratike, Partia Komuniste e Shqipërisë zhvilloi një nga luftrat më të ashpëra të klasës, që mund të krahasohet mbase vetëm me periudhën staliniste në B.S.

Këta "të dënuar" gjithashtu kanë motivet e tyre për të ndikuar në zhvillimin e ngjarjeve. Por fakti që demokracia nuk sjell për ta veç kushteve të barabarta për t'u inkuadruar në procesin e zhvillimit shoqëror është një arsye e fortë për të besuar se ata nuk ka pse të paraqesin rrezik. Krijimi i partive demokratike hap mundësitë e gjera që këta t'i drejtojnë energjitë e tyre në të mirë të zhvillimit demokratik të atdheut dhe të kombit. "Hakmarrja" e tyre le të zëvëndësohet me "fisnikërinë" e faljes. Mos të harrojmë shembullin e madh human dhe patriotik të Kosovës trime dhe të shumëvuajtur - faljen e gjaqeve.

Forca më e rrezikshme për demokratizimin e vendit janë ata funksionarë të partisë që nuk duan të pajtohen me demokracinë pluraliste, me humbjen e pushteteve dhe privilevegjeve të tyre. Mbase kanë frikë se duhet të paguajnë edhe për ushtrimin e pushtetit në tejkalim të ligjeve në fuqi. Veprimtaria e tyre është e dëmshme aq më tepër edhe për faktin se duke mos u bërë ende çpolitizimi i Ministrisë së brendshme, i ushtrisë, i gjykatave dhe prokurorisë, ata kanë akoma në dorë armët e tyre të verbëra për të demtuar procesin e zhvillimit demokratik. Në mënyrë të veçantë mund të jetë e dëmshme veprimtaria e Ministrisë së brendshme, me rrjetin shumë të degëzuar të punonjësve zyrtarë dhe të bashkëpunëtorëve të fshehtë apo të padeklaruar.

Përderisa Partia e Punës pranoi ekonominë e tregut, pluralizmin dhe krijimin e shtetit juridik, ajo duhet të reformohet edhe vetë, të demokratizohet edhe vetë nga poshtë lart. Eshtë koha që Partia e Punës t'u kthehet idealeve të Q. Stafës dhe V. Shantos. Vetëm demokratizimi i saj i vërtetë the thelbësor do të sigurojë demokratizimin e vendit tonë pa shkatërrim, pa gjak dhe me pajtim kombëtar.

 

(Ky artikull u shkrua në shkurt 1991 dhe u dha për botim në gazetën "Rilindja Demokratike" dhe "Republika", por botimi i tij u refuzua nga Frrok Çupi dhe Vangjush Gambeta, ish kryeredaktorë të këtyre gazetave).

 

Back to Top